Kosova ende po përballet me numër të lartë të rasteve të reja me Covid-19, mirëpo për fat të mirë vaksinimi po vlerësohet si mënyra më e mirë për mbrojte dhe në Kosovë është duke vazhduar me ritëm të mirë.
Udhëheqësi i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë (MSh), z. Faik Hoti ka treguar më shumë rreth mbarëvajtjes së procesit të vaksinimit në Kosovë: “Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK), nga fillimi i procesit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.808.724 doza të vaksinës, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit, janë dhënë 1.211 doza të vaksinës kundër COVID-19. Janë gjithsej 813.734 persona të vaksinuar me dozën e dytë ndërsa me përforcuesen dhe të tretën janë vaksinuar 96.408 persona.”
Përderisa vaksinimi po vazhdon me sukses numri i rasteve të reja ende konsiderohet i lartë, ku në 24 orët e fundit nga 1.626 testime, 158 persona kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19, ndërsa një person ka humbur jetën.