Më 19 shkurt 2022, në Shtëpinë e Kulturës në Viti, u mbajt promovimi i librit antologjik- enciklopedik me titull “Autorët e Komunës së Vitisë”, i autorit Muzafer Ramiqi, i botuar nga Shtëpia botuese “Lena”, në Prishtinë, përkrahur nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Krijuesve “Ramadan Musliu” në Viti. Ky libër ka për qëllim të tregoj të sotmen e traditës shumëvjeçare të Komunës së Vitisë dhe vazhdimësinë e denjë të kësaj rruge shumëshekullore, që ka kërkuar shumë lodhje, përgjegjës, sakrifica dhe përballje me sfida të ndryshme. Megjithatë, autori Muzafer Ramiqi ia ka dalë të kalojë me sukses të gjitha pengesat, të nxjerrë në dukje vlerat dhe të bashkojë autorët e falë kësaj pune të palodhshme ne sot e kemi në duar monografinë letrare-shkencore për autorët e Komunës së Vitisë.
Se cila është përmbajtja konkrete e kësaj monografie, për dëgjuesit dhe lexuesit e Radio KFOR-it, tregoi vet autori: “Ky libër hapet me pjesën memoriale, që i kushtohet njërit nga poetët më të talentuar dhe njërit nga njohësit më të thellë dhe të gjithanshëm të fushës së letërsisë, z. Ramadan Musliut, i cili sa ishte i gjallë e edhe tani është mburrje e krijimtarisë së përgjithshme kombëtare. Vazhdojmë me ciklin “Post mortum” ku janë paraqitur 19 autorë që nuk janë tashmë midis nesh, poet, historian, studiues, poliglot, botanist, teolog, monografist, filozof, kronist, matematicien, krijues, romansier etj. Në kapitullin e dytë, “Letërsi” janë paraqitur gjithsej 39 krijues të fushës imagjinative dhe letrare. Në kapitullin “Shkencë” janë paraqitur gjithsej 22 autor: studiues, hulumtues, monografist, teolog, hulumtues, filozof, historian, jurist, publicist, të cilët janë ende gjallë. Antologjia mbyllet me kapitullin “Shpresat e së ardhmes”, ku janë paraqitur 6 (gjashtë) autorë të moshës më të re, që kanë botuar edhe ndonjë libër të parë, po që premtojnë vazhdimësinë e denjë të shkrimit e botimit të veprave letrare e të zhanreve të tjera në të ardhmen”, tha autori z. Ramiqi.
Pra, dashamirë të librit, kemi të bëjmë me një vepër që pasqyron një krijimtari, punë shkencore e publicistike të denjë, sidomos kur bëhet fjalë për një qytet me rrethinë në rritje; për ngulitjen e qëndrueshme të krijimit në një treve, që ka vetëm rreth tetë dekada traditë të botimit të librit shqip e të studimit shqip dhe mbi të gjitha afrimin e një mundësie për njohjen nga afër të autorëve, të laramanisë e vlerës së veprave të tyre, si mundësi për t’u hedhur këndvështrime qasjeve dhe përkushtimeve të tyre, për të lënë gjurmë në kohë e hapësirë dhe për të mundësuar që lexuesi të njohë nga afër atë që krijohet në Viti e rrethinë, që punohet e që e vlen edhe të madhërohet.







