Përdorimi i energjisë elektrike për nevoja ditore është i domosdoshëm për çdo familje. Që nga përgatitja e ushqimeve në shtëpi deri tek makina larëse dhe ngrohja me energji, të gjitha kanë kostot e tyre. Rreth shfrytëzimit më racional të energjisë elektrike dhe pajisjeve shtëpiake të cilat shpenzojnë më shumë energji elektrike, Radio KFOR-i zhvilloi një bisedë me partnerin menaxhues në kompaninë e shërbimeve elektroenergjitike ‘Elen‘, z. Afrim Syla, i cili tregoi rreth pajisjeve shtëpiake që shpenzojnë më shumë energji dhe mënyrave se si mund të kursejmë energjinë elektrike në shtëpitë tona: “Shpenzimet më të mëdha të energjisë elektrike bëhen nga furra elektrike, ngrohësja e ujit (bojleri) dhe shtëpitë apo banesat që ngrohen me energji elektrike nga ngrohjet me pompë termike apo kallda. Energjia elektrike në Kosovë gjatë ditës ka kosto më të lartë se sa gjatë natës, prandaj nga ora 22:00 është tarifa më e lirë dhe ju mund ta shfrytëzoni këtë kohë për të kryer ndonjë punë në shtëpi.”
Po ashtu, z. Syla këshilloi të gjithë qytetarët të cilët kanë hapësirë mbi çati të shtëpisë të tyre, të vendosin panele solare.







