Çdo ditë e më shumë, gjendja epidemiologjike në vend po ashpërsohet, bazuar në numrin e madh të të infektuarve, ku vetëm në 24 orët e fundit, nga 9.194 testime, 2.050 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19, përderisa numri i rasteve aktive është 7.266.
Bazuar në të dhënat e IKSHPK-së, në 24 orët e fundit janë dhënë 5.348 doza të vaksinës kundër COVID-19, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës, janë dhënë 1.728.214 doza të vaksinës.
Bazuar në të dhënat e DG SANTE dhe ECDC, ende nuk dihet për sa kohë infeksioni i mëparshëm me SARS-COV-2, mbron nga infektimi përsëri. Të dhënat e disponueshme aktualisht tregojnë se rreziku i ri infektimit është dukshëm më i lartë me variantin Omicron, krahasuar me variantet e tjera. Ka të ngjarë që SARS-CoV-2, që shkakton COVID-19, të vazhdojë të qarkullojë dhe të evoluojë, por nuk është e mundur të parashikohet se si do të ndikohet ashpërsia e COVID-19 nga ky evolucion. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të arrihen dhe të ruhen nivele të larta të mbulimit të vaksinimit në nivel global.
Së fundi, në Angli, Skoci dhe Afrikën e Jugut janë publikuar studime, të cilat tregojnë se ashpërsia e sëmundjes COVID-19 është më e ulët tek individët që janë infektuar nga varianti Omicron në krahasim me ata të infektuar me variantin Delta. Dozat përforcuese të vaksinës COVID-19 mund të rrisin mbrojtjen kundër infeksionit dhe sëmundjes së lehtë/të moderuar me variantin Omicron.