Me moton “Bëhu babadimër, jepi buzëqeshje një familjeje”, për të katërtin vit me radhë, në Prishtinë është mbajtur mini-maratona “Vrapo Babadimër”. Me një pjesëmarrje dhe interesim të jashtëzakonshëm, ky edicion ka vazhduar me traditën humanitare, por me shumë ndryshime, të cilat i ka shpalosur për Radio KFOR-in, organizatori, Jusuf Islami: “Këtë vit, për dallim nga edicioni i parë, nga 60-të familje në nevojë sa kemi ndihmuar, këtë vit do të ndihmojmë 700 familje ku familjet do të përzgjidhen përmes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Jemi shumë të kënaqur sepse kemi rreth 2000 babadimra që është një dallim shumë i madh pasi fillimisht kemi pasur 150 babadimra. Sot, përveç që po kënaqen njerëzit, po gëzojmë shumë familje. Jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin që kemi me KFOR-in dhe kemi nderin që kemi bashkëpunimin e tretë me radhë.”
Edhe Bledina Mala që është pjesëtare e stafit “Vrapo Babadimër”, është shprehur e lumtur me punën që ajo dhe stafi kanë bërë: “Ështe hera e parë që marr pejsë dhe është shumë kënaqësi për arsye se këtu e kupton sa solidarë janë njerëzit. Ka njerëz të të gjitha komuniteteve, kemi edhe persona me nevoja të veçanta si dhe na janë bashkangjitur edhe njerëz që vijnë nga shtete të ndryshme.”
Është vitit i tretë që edhe KFOR-i po kontribuon në kampanjën humaniare “Vrapo Babadimër”, mirëpo nga viti në vit, siç na ka treguar edhe Fitore Berisha nga Zyra për Barazi Gjinore në KFOR, numri i anëtarëve të KFOR-it si pjesëmarrës në këtë nismë, vazhdimisht është rritur: “Është hera e parë që KFOR-i është duke marr pjesë në numër kaq të madh. Ne si KFOR kemi kontribuar me 80 ushtarë pjesëmarrës në “Vrapo Babadimër” dhe jemi shumë të lutmur që edhe KFOR-i do të jetë njëri nga ata që do të sjellin buzëqeshje në familjet që kanë nevojë”.
Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishte edhe Shefi i Shtabi të Përgjithshëm të KFOR-it, BG Shawn Harris, i cili tha për Radio KFOR-in, se KFOR-i do të vazhdojë të mbështesë edhe në të ardhmen këtë kampanjë humanitare: “Kjo është shumë e rëndësishme për KFOR-in, sepse KFOR-i dëshiron që të sigurojë të gjithë që ne jemi pjesë e komunitetit dhe të gjithë ta kuptojnë që ne jemi duke e mbështetur secilin në Kosovë. Sot ne kemi mbi 70 ushtarë që janë babadimra pjesëmarrës në këtë ngjarje, këtë jemi duke e bërë për tre vite dhe do ta bëjmë edhe në të ardhmen.”
Pjesëmarrëse në mesin e 2000 babadimrave ishte edhe Melodika Zazi, e cila për pjesëmarrjen e saj thotë: “Kam dashur edhe unë të kontribuoj në qëllimin humanitar që ka ky vrapim, por edhe kam pasur dëshirë të jem pjesëmarrëse edhe në vrapim.”
Me ‘Vrapo babadimër’, Kosova tash e e 4 vite me radhë po i bashkohet shumë vendeve të botës të cilat po ashtu e mbajnë eventin ‘Run Santa’, e cila ka karakter humanitar në forma të ndryshme.