Ekzistojnë komunitete në Kosovë që ende vuajnë nga racizmi i institucionalizuar, padrejtësia mjedisore dhe diskriminimi shoqëror. Prandaj, organizata mediale KOSOVO 2.0 po organizon diskutim mbi racën, për t’i qartësuar këto çështje brenda shoqërisë sonë dhe për të kuptuar më shumë bashkërisht rreth këtij fenomeni.
Në këtë diskutim janë të ftuar panelistë të profileve të ndryshme që do të shfaqin gjendjen e kësaj pjese të shoqërisë në vendin tonë si: Udhëheqësja e Peace Corps Kosovo, Darlene Grant, anëtar në Roma Versitas Kosovo, Genc Broqi dhe Piktorja Mirjeta Qehaja.
Në lidhje me këtë ngjarje, për Radio KFOR-in foli Koordinatorja e Projekteve ne KOSOVO 2.0, Gresa Smolica, e cila tregoi edhe për qëllimin që ka ky organizim: “Eventi që do të mbajmë sot është në kuadër të programit “Lokomotiva”, që ne e mbajmë me të rinjtë, ku mundohemi përmes formave të ndryshme të artit të sfidojme narrativat shoqërore që ndërtohen rreth temave si gjinia, etnija, raca dhe religjioni. Sot do të diskutojmë për racën si fenomen global dhe si ajo manifestohet në Kosovë.”
Znj. Gresa për më tepër ftoi të gjithë të interesuarit në shfaqjen e filmit që do të transmetohet para diskutimit: “Filmi që do të shfaqim sot është ‘The Feeling of Being Watched’, ky film lidhet me temën e racizmit duke treguar historinë e një gazetareje arabe e cila jeton në Amerikë. Historia e saj e shfaq paragjykimin dhe mendimet që ekzistojnë për komunitetet dhe grupet e caktuara në shoqëri.”
Diskutimi “Raca dhe Evropa përmes përvojës kosovare”, do të mbahet sot (16 dhjetor 2019), në Hub 2.0, ndërsa filmi në fjalë do të shfaqet prej orës 16:00, për të vazhduar me diskutim prej orës 17:30.