E vendosur çdo gusht për shtatë ditë me radhë, duke filluar nga data 1 e deri me 7 gusht, shënohet edhe sivjet ‘Java Botërore e Ushqyerjes me Gji’, e cila synon të nxjerrë në pah përfitimet e mëdha që mund të sjellë ushqyerja me gji për shëndetin dhe mirëqenien e foshnjave si dhe për shëndetin e nënës. Ngjarja kryesore organizohet çdo vit nga Aleanca Botërore për Veprimin e Ushqyerjes me Gji, një rrjet ky global që synon të mbrojë, promovojë dhe mbështesë ushqyerjen me gji të foshnjave në mbarë botën. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që nënat të ushqejnë foshnjat me gji, të paktën për gjashtë muajt e parë të jetës.
Përfitimet nga ushqyerja e foshnjave me gji janë të shumta e disa nga to përfshijnë:
– Më pak ftohje dhe sëmundje të frymëmarrjes, siç janë: pneumonia, virusi sincicial respirator (RSV) dhe kolli.
– Qumështi i gjirit përmban antitrupa të rëndësishëm për zhvillim;
– Më pak infeksione të veshit, veçanërisht ato që dëmtojnë dëgjimin;
– Më pak raste të meningjitit bakterial;
– Më pak probleme me sistemin tretës.
Gjithashtu sipas studimeve nënat që ushqejnë foshnjat me gji, kanë rrezik më të ulët për depresion pas lindjes.