Dita Universale e Fëmijëve e Kombeve të Bashkuara, u themelua në vitin 1954 dhe çdo vit festohet më 20 nëntor, për të promovuar bashkimin ndërkombëtar, ndërgjegjësimin e fëmijëve në mbarë botën dhe përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve. Kjo ditë mëton ti ofrojë secilit prej nesh frymëzim për të mbrojtur, promovuar dhe kremtuar të drejtat e fëmijëve, duke u përkthyer në dialog dhe veprime që do të ndërtojnë një botë më të mirë për fëmijët.
Për të shënuar këtë ditë, Radio KFOR-i morri një prononcim nga Veton Kryeziu, nga organizata Save The Children, të cilët punojnë çdo ditë që fëmijëve të Kosovës tu respektohen të drejtat e tyre: “Kosova ka mekanizma ligjor që mbrojnë të drejtat e fëmijës. Sidoqoftë, fëmijët në Kosovë vazhdojnë të përballen me pabarazi në respektimin e të drejtave të tyre që lidhen me arsimimin, shëndetin dhe mbrojtjen e tyre. Me kalimin e ligjit për mbrojtje të fëmijës dhe hyrjes së tij në fuqi në vitin 2020, fëmijët gëzojnë një mbrojtje institucionale kundër çdo forme të dhunës, në çdo ambient. Që fëmijët të arrijnë potencialin e plotë, ne si shoqëri duhet të sigurohemi që fëmijët të rriten shëndetshëm, arsimohen dhe të jenë sigurt.”
Sipas z. Kryeziu, organizata Save the Children, do të jetë në çdo hap prapa për të ju mbështetur në arritjen e të drejtave tuaja që ju takojnë me ligje lokale dhe me Konventën për Të Drejta të Fëmijës.