Javën që po e lëmë pas, Apple ka njoftuar për atë që me të drejtë po konsiderohet si vendim revolucionar nga vet kompania. Nga tani e tutje, nëse iPhone juaj personal pëson ndonjë defekt, të njëjtin mund ta riparon vetë përdoruesi. Në deklaratën e bërë nga Apple , theksohet se qasja e përdoruesve në pjesët rezervë origjinale, nuk do të jetë i kufizuar si më parë, duke shtuar se pronarët e iPhone 12 dhe iPhone 13, mund të blejnë pjesët më të rëndësishme të këmbimit si baterinë, ekranin dhe modulin e kamerës, direkt nga Apple dhe mund t’i zëvendësojnë vetë me mjetet e ofruara nga kompania. Shitjet e pjesëve për vetë-riparimin do të dalin në treg në vitin 2022, e po në këtë vit, Apple pritet ti sjellë tregut edhe syzet Apple Glass, të cilat do t’i ofrojnë privatësi të plotë përdoruesve që të shohin në ekranin e errësuar të telefonit të tyre, pamje kjo që do të jetë e padukshme për të tjerët përreth.
Ndërkohë, kompania Google ka menduar si të shmangë stresin e turmës gjatë festave të fund vitit. Google shpesh po shton veçori të reja në aplikacionin e tij, Google Maps, e ndër to është edhe ‘Zona Busyness’, e cila ofron informacione se sa e mbushur me njerëz është një lagje apo vend i caktuar. Tani, në vend që të ofrojë vetëm detaje për vende specifike, Google Maps do të jetë në gjendje të ofrojë informacione rreth tollovisë apo mbipopullimit të përgjithshëm të një lokacioni.
E pas kritikave të shumta, Instagrami po teston opsionin e shumëpritur “Pushoni pak”. Ky është një opsion që do t’iu kujtojë përdoruesve se po kalojnë shumë kohë duke përdorur rrjetin social Instagram. Testimi i “Take a Break”, po vjen në një kohë presioni mbi rrjetet sociale si Instagram dhe Facebook, pas një studimi të brendshëm, i cili rezultoi se Instagram mund të ketë një efekt negativ në shëndetin mendor të të rinjve.