Disa njerëzve u pëlqen të lexojnë biografitë e njerëzve më me ndikim në histori, disave u pëlqejnë romanet, disa të tjerë preferojnë klasikët, por pavarësisht nga lloji i zhanrit të librave e vërteta e padiskutueshme është se bota nuk do të ishte e njëjtë pa libra. Librat na edukojnë dhe frymëzojnë prej mijëra vitesh, ndaj duhet të kuptohet që ‘Dita Botërore e Librit’, e cila shënohet sot (03.03.22), ka një vlerë shumë të madhe.
Për të shënuar këtë ditë, Radio KFOR-i intervistoi shitësin e librave, z. Florim Beqiri, i cili na tregoi se sa janë të rinjtë të interesuar të blejnë dhe të lexojnë libra: “Unë për 25 vite, shes libra dhe mund të them se është një kategori e njerëzve që gjithmonë kanë interes të lexojnë libra. Për momentin më së shumti janë duke u shitur librat psikologjik, pastaj shiten romanet e ndryshme, librat e historisë, librat shkencorë e kështu me radhë. Unë dua të jap edhe një mesazh për të gjithë; e ai është se një orë në ditë duhet të ia kushtoni leximit, sepse kjo shprehi e të lexuarit është e mirë për dije por edhe për shëndetin mendor.”
‘Dita Botërore e Librit’ u krijua në vitin 1995 nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO). Lidhja mes kësaj date dhe librave u bë në Spanjë, në vitin 1923, pasi është përvjetori i vdekjes së shkrimtarëve, William Shakespeare dhe Inca Garcilaso de la Vega.