Më 5 mars, duke filluar nga ora 13:00, në Prizren, do të bëhet prezantimi i instalacionit “Dera 52”.
Kjo nismë është vazhdimësi e punës së Valtida Shukriut, mbi ngritjen e vetëdijes shoqërore për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore të qytetit të Prizrenit. Në një prononcim për Radio KFOR-in, znj. Shukriu tha se përmes këtij instalacioni, “Dera 52” do ‘të flasë vetë’ dhe do të tregojë historinë e krijimit dhe përjetimet e saj deri në shkatërrimin e saj: “Dera 52 është vazhdimësi e nismës time për prezantimin e dyerve dhe dritareve të vjetra të Prizrenit. Ideja është që të ngritët vetëdija shoqërore, për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore të qytetit të Prizrenit.”
“Dera 52”, besohet të jetë krijuar para 200 viteve dhe ajo pati fatin që të mos shkatërrohej, pasi ajo ra në duart e znj. Valtida Shukriut, e cila me pasionin dhe angazhimin e madh në ruajtjen e trashëgimisë kulturore ‘Derën 52’, tashmë e ka shndërruar në monument.