Dje (02.03.22), në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it u mbajt ‘Konferenca KFOR CIMIC’, e cila kishte për qëllim forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Organizatave Ndërkombëtare, Organizatave Joqeveritare dhe KFOR-it, me qëllim të rritjes së zhvillimit social dhe ekonomik të Kosovës.
Në prani të përfaqësuesve ushtarak të KFOR-it, përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare dhe vendore, komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Ferenc KAJÁRI, bëri hapjen e konferencës në fjalë, ku me këtë rast theksoi: “Është shumë e rëndësishme ti bëjmë bashkë organizatat civile dhe ushtarake, në mënyrë që të diskutojmë për qëllimet tona dhe të diskutojmë se çfarë mund të bëjmë dhe t’i procedojmë ato. Siç e dini ju, KFOR-i është këtu, në Kosovë, për të ofruar një ambient të qetë të sigurt dhe liri të lëvizjes, që është duke e realizuar me sukses që nga viti 1999. Por, për të qenë të suksesshëm ne aktivitetet tona, duhet ta monitorojmë çdo ditë gjendjen e popullatës dhe të identifikojmë nevojat e tyre si dhe të ndihmojmë në zhvillimin e programeve të ndryshme.”
Në mesin e të pranishmëve ishte edhe znj. Albana Zogu nga OJQ-ja ‘SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës’, e cila tregoi për qëllimin e pjesëmarrjes së saj në këtë konferencë: “Jemi pjesë e kësaj konference për të parë se si mund ti bashkërendojmë aktivitetet tona. E rëndësishme është që jeta e qytetarëve të jetë më e mirë, pa marrë parasysh kombësinë apo besimin e tyre dhe natyrisht që duke punuar me të gjitha komunitetet, qëllimet tona arrihen edhe më shumë.”
I kënaqur me bashkëpunim me KFOR-in, ishte edhe z. Milos Vuvinic, i cili përfaqësonte OJQ-në ‘Support me’, në përkrahje të prindërve të cilët kanë fëmijët me aftësi të kufizuar dhe me këtë rast, ai veçoi: “Ne dëshirojmë të vazhdojmë bashkëpunimin me KFOR-in, aktualisht kemi disa projekte konceptuale që duhet t’i përpunojmë pak më shumë, e më pas t’ia dorëzojmë KFOR-it dhe shpresojmë për bashkëpunim të suksesshëm edhe në të ardhmen.”
Në fund të konferencës, Radio KFOR-i mori edhe një mesazh nga Shef i CIMIC-ut në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it, Jarmo Holopainen, dedikuar të gjithë të rinjve në Kosovë: “Mesazhi im është; Ju lutem që të jeni më miqësorë me njëri-tjetrin dhe të përpiqemi të përmirësojmë dhe të krijojmë një të ardhme më të mirë për Kosovën!”
KFOR-i do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e një Kosove të qëndrueshme dhe paqësore përmes projekteve dhe donacioneve të CIMIC-ut dhe do të mbështesë çdo iniciativë që mund të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt, për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë.