UNUM Festival do ta vazhdojë traditën, për ta kthyer Shëngjinin, vend ku zbarkojnë emrat më të mëdhenj botërorë të muzikës elektronike. Ndryshe nga vitet e shkuara, sivjet festivali do të zgjasë 6 ditë, nga e mërkura 1 qershor deri të hënën 6 qershor dhe pjesëmarrësit do të kenë mundësinë që të shijojnë një cep të mrekullueshëm natyror në Rivierën Shqiptare – Rana e Hedhun, bashkë me tingujt e muzikës së 90 artistëve që do të performojnë atje. Për të mësuar më shumë rreth këtij festivali, sot (31.03.22) Radio KFOR-i të ftuar në emision të drejtpërdrejtë pati Specialistin e Komunikimit me Publikun në UNUM Festival, z. Ardin Badivuku i cili njoftoi: “Kemi lansuar edhe fazën e dytë të lineup-it, me një listë të pa-rezistueshme me disa nga emrat më të mëdhenj në botë si: Seth Troxler, Ricardo Villalobos, Paco Osuna, Mathew Jonson, Shimza, Raresh, Rhadoo, Ilario Alicante si dhe mbi 80 artistë të tjerë pjesëmarrës. Do të jenë rreth 90 artistë, që do të performojnë në festivalin gjashtë ditorë. UNUM është një komunitet i lidhur ngushtë me muzikën e kuruar me shije, mes pyjeve me pisha, me erë të këndshme, plazheve gjithëpërfshirëse me diell dhe i vendosur në një sfond dramatik malor. Muzikë do të ketë në tri skena shumë të ndryshme, të gjitha me pamje dhe tinguj unik dhe me emblema, ku njëra prej tyre është Pines Stage (Skena e pishave), ku DJ-të do të performojnë 24 orë në ditë. Ditën e enjte e kemi ndarë për perfomanca të artistëve tanë vendor, me qëllim që të njëjtit veç tjerash, t’i promovojmë edhe ata tek artistët ndërkombëtarë.”
Z. Badivuku, falënderoi Radio KFOR-in për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe bëri të ditur se do të shpërndaj disa bileta falas, për dëgjuesit e Radio KFOR shqip dhe serbisht. E neve miq na mbetet t‘ju bëjmë thirrje, që qysh tani të përgatiteni për festivalin që gërsheton muzikën e kuruar me shije, natyrën me pisha dhe me plazhet e bukura me diell.