Në Fakultetin e Filologjik në Universitetin e Prishtinës, mund të studiohet edhe gjuha serbe, si pjesë e ‘Programit Ballkanistika’. Ky projekt është i një rëndësie të veçantë, meqë sjell frymën shumetnike dhe mundësinë e krijimit të shkëmbimeve kulturore dhe arsimore për studentë të cilët duan të mësojnë gjuhën serbe dhe anasjelltas, në Universitetin e Prishtinës.
Dekanja e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, Lindita Rugova, ka punuar për më shumë se dy vjet, për hartimin e këtij programi dhe në një intervistë për Radio KFOR-in, tregoi për arritjen e realizimit të këtij projekti të madh dhe rëndësisë që bart ky program: “Programi i Ballkanistikës, në përgjithësi ofron studimin jo vetëm të gjuhës serbe por edhe të gjuhëve të tjera që fliten në Ballkan. Për shkak të interesimit të kandidatëve, kemi ofruar edhe serbishten në këtë program, por edhe gjuha shqipe, që është gjuhë e parë që mund të studiohet dhe mësohet në këtë program. Programi në përgjithësi, në vitin e parë dhe të dytë, përqendrohet në mësimin intensiv të gjuhës, e pastaj në vitin e tretë dhe të katërt përqendrohet në aspektin e përkthimit, kulturës, historisë dhe letërsisë. Këtë vit, për herë të parë në këtë program janë regjistruar 11 studentë. Duke marrë parasysh që në Kosovë jetojnë shumë komunitete gjuhësore dhe gërshetohen shumë kultura, ky program është i një rëndësie të madhe.”
Pesë komunat në Kosovë: Kamenica, Mamusha, Dragashi, Mitrovica e Veriut dhe Mitrovica e Jugut, po ashtu në kuadër të një projekti nga ‘Organizata Ndërkombëtare e Migracionit’, me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Kosovë, kanë bërë të mundur për disa vite, që shqiptarët dhe serbët që jetojnë në Kosovë, të mund të mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit në kurse falas, në këto dy gjuhë, me tekste shkollore themelore në gjuhën shqipe dhe serbe.
Shkëmbimet linguistike dhe mundësi të tilla për të bashkuar komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë në fusha të ndryshme, tashmë edhe duke luftuar barrierat gjuhësore, janë shembujt më të mirë të tolerancës dhe bashkëjetesës shumetnike në Kosovë.