Në Kosovë dhuna në familje mbetet ndër format më të shprehura të dhunës që prek gratë. Sipas raportit të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) “Mjaft më me arsyetime”, mbi 68% e grave në Kosovë, kanë përjetuar ndonjë formë të dhunës gjatë jetës së tyre. Dhuna në familje, e veçanërisht dhuna ndaj grave e vajzave, dukuri kjo e shëmtuar, fatkeqësisht mbetet ende prezentë edhe në këtë shekull, në çdo shoqëri si dhe në vende të zhvilluara, mirëpo edhe në vendin tonë.
Sipas raporteve të fundit të vendeve të ndryshme nëpër botë, që nga fillimi i pandemisë Covid-19, kjo dukuri ka arritur përmasa edhe më të mëdha. Kështu, shifrat flasin se 243 milion gra dhe vajza në botë, u abuzuan nga partneri i tyre, vetëm gjatë vitit që po e lëmë pas. Ndërsa, më pak se 40 përqind prej tyre, e raportojnë dhunën në organet kompetente apo kërkojnë ndihmë.
Për të shënuar këtë ditë, Radio KFOR-i, ka kontaktuar Menaxheren e Programit Kundër Dhunës ndaj Grave ‘RrGK’, znj. Adelina Berisha, e cila tha’: “Sot me rastin e hapjes së fushatës botërore ‘16 ditët e aktivizmit kundër dhunës ndaj grave’, bëjmë thirrje për një vëmendje më të shtuar kundër të gjitha formave të dhunës ndaj grave. Gratë dhe vajzat e Kosovës, duhet të jetojnë në një shoqëri që respekton dinjitetin e tyre dhe siguron respektimin e të drejtave të tyre. Forma të ndryshme të dhunës e veçanërisht dhuna në familje, janë një realitet i hidhur me të cilin ballafaqohen gratë dhe vajzat në Kosovë.”
Zonja Berisha, në porosinë e saj në lidhje me këtë ditë, tha se ne të gjithë si shoqëri duhet të japim kontributin tonë, që të parandalojmë dhunën ndaj grave, të ashpërsojmë dënimet për ushtruesit e dhunës dhe vrasësit e grave, që të dëshmojmë se me të vërtet, Kosova ka zero tolerancë ndaj dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore në përgjithësi.