Specialistët që punojnë me fëmijët, rendisin agresivitetin, ndër problemet më shqetësuese në punën e tyre. Se si mund të ndihmohen këta fëmijë, pritet ta kuptojmë në trajnimin që do të mbahet më 11 prill, të këtij viti. “Fëmijët agresivë, si të ndihmohen ata” kjo është tema e trajnimit që po organizon Shoqata e Psikologëve të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë dhe që tashmë ka të hapur aplikimin për profesionistët shëndetësor, ata nga fusha e psikologjisë, logopedisë, studentët, profesionistë dhe të interesuar nga fusha tjera relevante. Për të kuptuar më shumë detaje për këtë trajnim, Radio KFOR-i ka kontaktuar me Pikologun Klinik dhe njëherit trajnues në këtë trajnim, Ilir Havolli: “Qëllimi është vetëdijesimi i akterëve të ndryshëm, duke filluar nga profesionistët e shëndetit mendor, edukatorët, ata që punojnë me fëmijët e deri tek prindërit që të njihen me shenjat qe shfaqë një fëmijë agresiv, të njihen me disa prej shkaqeve më kryesore të agresivitetit tek fëmijët. Pritshmëritë nga ky trajnim janë që të arrijmë të përcjellim tek pjesëmarrësit disa nga mënyrat e menaxhimit të agresivitetit, si mund t’i ndihmojmë këta fëmijë për të përmirësuar sjelljen dhe njëkohësisht si të përgatisim pjesëmarrësit që të punojnë me këtë kategori fëmijësh.”
Siç na njoftoi z. Havolli, aplikimi për pjesëmarrje në trajnimin me temë “Fëmijët agresivë, si të ndihmohen ata”, është i hapur deri më datën 5 prill 2021, ndërsa trajnimi do të mbahet më 11 prill duke filluar nga ora 10:00 përmes platfomës Zoom, ndërsa për rezervim mund të telefononi në 049-836-643.