Shpikja e internetit dhe pajisjeve teknologjike, patjetër që kanë përmirësuar jetën e njerëzve duke shërbyer si urë lidhëse për të gjithë. E me gjitha të mirat, fusha e internetit është kthyer në burim rreziku që prek të gjithë, e më së shumti fëmijët. Ajo që vjen në shprehje sot dhe është e përhapur në mesin e shoqërive të botës, është bullizmi kibernetik, ndaj të cilit më të ekspozuar janë fëmijët. Bullizmi kibernetik është dukuri e shfaqur edhe në mesin e të rinjve kosovarë, kështu tha edhe Drejtori i Drejtoratit të Operimeve Qendrore dhe Sigurisë në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit të Kosovës, Gani Zogaj, i cili në një intervistë dhënë Radio KFOR-it, tregoi se në Kosovë ka mekanizma që e dënojnë bullizmin kibernetik: “Ekzistojnë mekanizma ne kuadër të Policisë se Kosovës, që merren me luftimin dhe mbrojtjen nga sulmet kibernetike, përfshirë edhe bullizmin kibernetik. Gjithashtu organizohen edhe aktivitete edukative në sensibilizimin e qytetarëve për luftimin dhe mbrojtjen nga bullizmi kibernetik.”
Z. Zogaj përmes frekuencave të Radio KFOR-it ka këshilluar prindërit që të jenë më të kujdesshëm ndaj fëmijëve, në mënyrë që ata të mos bien pre e bullizmit kibernetik: “Këshilla ime ndaj prindërve është që ata duhet të jenë shumë të kujdesshëm, të monitorojnë dhe të kontrollojnë në mënyrë të vazhdueshme qasjet e fëmijëve në internet. Prindërit gjithashtu duhet të bëjnë konfigurimet e pajisjeve ashtu që të përdorin kontrollet prindërore në telefona apo në pajisjet tjera elektronike të fëmijës suaj. Me kufizimet e përmbajtjes dhe privatësisë në kohën e ekranit, prindërit mund të bllokojnë ose kufizojnë aplikacione dhe veçori specifike në pajisjen e fëmijës.”