Në periudhën maj-qershor 2020, 27 gra fermere nga rrjeti i pesë kompanive po ashtu nën pronësi dhe menaxhim të grave, ndoqën trajnimin “Kultivimi i bimëve mjekësore aromatike dhe menaxhimi i fermës”. Programi i trajnimit përmbante informata praktike dhe këshilla për kultivimin organik dhe certifikimin e bimëve mjekësore organike.
Më shumë hollësi në lidhje me këtë trajnim, për Radio KFOR-in foli Menaxherja e Komunikimit në Projektin PPSE, Linda Baleta: “Materiali i trajnimit u zhvillua në formatin 20 e videove të shkurtra, teksteve dhe posterëve elektronikë, ku tematika e videove përfshinte standardet e bujqësisë organike, aspekte të ndryshme të punës dhe këshilla për kultivimin e bimëve specifike”.
Ndërsa, pronarja e kompanisë 99 Lule, Havushe Bajrami-Bunjaku, tregoi se ky trajnim ishte më se i domosdoshëm: “Ishte mënyrë shumë interesante e trajnimit, sepse tani të gjithë materialin e kemi në telefona mobil dhe mund ta shfrytëzojmë sa herë të na duhet. Është sikur ta kesh trajnerin në mobil”.
Trajnimi në fjalë u organizua nga Shoqata ORGANIKA, me mbështetje të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe projekti PPSE Swissctontact.