Në gjithë botën, sot (28 korrik), shënohet ‘Dita Botërore e Hepatitit’, e cila synon që të rris të gjitha përpjekjet lidhur me parandalimin e kësaj sëmundjeje. Me këtë rast, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u bën thirrje partnerëve dhe shteteve anëtare për të vënë në zbatim Strategjinë e Parë Botërore për Hepatitet Virale, në mënyrë që bashkë të arrijnë qëllimin përfundimtar, eliminimin e hepatitit. Në këtë ditë, zhvillohen aktivitete për të përmirësuar njohuritë e publikut për rrezikun e hepatitit dhe për të përmirësuar qasjen ndaj shërbimeve të testimit dhe trajtimit të hepatitit.
Në këtë ditë, OBSH publikon 28 profilet e vendeve me prevalencë më të lartë të hepatitit, të cilat tregojnë se, pavarësisht nga shumë sfida, përpjekjet globale për të eliminuar hepatitin po fitojnë terren, megjithëse ende mbeten barriera të mëdha.