Duke pasur parasysh situatën e krijuar pas shpalljes së pandemisë COVID-19, ku njerëzit janë të mbyllur në shtëpitë e tyre si masë preventive ndajë këtij virusi, Organizata joqeveritare “Bardha”, ka vendosur që për herë të parë në Kosovë të ofrojë trajnime online falas të rrobaqepësisë, të cilat do të mbahen çdo të diel, duke filluar nga ora 13:00 deri në orën 14:00. Në secilën javë do të ushtrohen tema të ndryshme, si qepja e maskave adekuate, matja e trupit, punëdore, pastaj do të ketë edhe trajnime në fushën e zhvillimit të bizneseve të grave dhe fuqizimin e tyre në mundësi punësimi.
Në lidhje me këto trajnime falas, Radio KFOR-i kontaktoi Koordinatoren e Projekteve në OJQ-në “Bardha”, Teuta Fetiu, e cila tha: “Ne kemi menduar që gjatë kësaj periudhe izolimi të mbajmë trajnime online falas për të gjitha gratë/vajzat që janë të interesuara të marrin pjesë në trajnime, për zhvillimin e bizneseve dhe fuqizimin e tyre. Nga kjo e diel, do të fillojmë me trajnimin online për rrobaqëpsi, ku të gjitha të interesuarat mund të marrin informata shtesë, duke klikuar në faqen zyrtare në facebook të Shoqatës ‘Bardha’.”
Përveç faqes së facebook-ut të OJQ-së “Bardha”, të interesuarat mund të marrin informata edhe përmes numrit të telefonit i cili ka qasje edhe në viber: +383 49 418 806.