3 Maji shënon “Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias”, e cila rikujton se liria e shtypit dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore të njeriut. Poashtu, gjatë kësaj dite përkujtohen të gjithë ata njerëz e gazetarë që gjetën vdekjen apo edhe u burgosën në përpjekje për të sjellë lajmin tek publiku.
“Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Medias”, është themeluar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në dhjetor të vitit 1993, si një zgjatim i Seminarit mbi Promovimin e një shtypi të pavarur dhe pluralist afrikan. Ky seminar u zhvillua në Namibi në vitin 1991 dhe solli miratimin e Deklaratës ‘Windhoek’, mbi Promovimin dhe Pluralizmin e Medias.
Çdo vit, që nga viti 1997, UNESCO nderon me Çmimin Botëror të Lirisë së Medias, Guillermo Cano, punën e një individi apo të një organizate për të mbrojtur apo promovuar lirinë e shprehjes, veçanërisht në qoftë se ajo e vë jetën e individit në rrezik.