Natën e 31 dhjetorit dhe mëngjesin e 1 janarit, njerëzit në shumë vende të botës e festojnë si një fillim të ri, për vitin që po hyjnë. Për ta shënuar këtë natë, ka një sërë traditash të çuditshme dhe interesante në gjithë botën. Në Skoci, nata e Vitit të Ri quhet Hogmanay apo ‘këmba e parë’, ku miqtë vizitojnë njëri – tjetrin, menjëherë pas mesnate. Personi i parë që viziton shtëpinë e mikut, duhet të sjellë një dhuratë, pasi kjo do të thotë fat për atë shtëpi.
Në Spanjë, është zakon të hahen 12 kokrra rrushi siç bien edhe kambanat për mesnatën e 31 dhjetorit. Një rrush hahet në çdo tingull të ziles dhe çdo rrush supozohet të sjellë fat të mirë, për çdo muaj të vitit të ardhshëm.
Në Brazil, Ekuador, Bolivi, Venezuelë dhe disa vende të tjera të Amerikës Qendrore dhe Jugore, njerëzit veshin të brendshme të veçanta, me ngjyra të ndryshme përgjatë natës së Vitit të Ri. Ngjyra e kuqe, supozohet të jetë e mirë për të sjellë dashuri në vitin e ri, ndërsa e verdha supozohet të sjellë para.
Pra, në shumë vende të botës, por edhe tek ne, nata e Vitit të Ri festohet me tubimin e familjarëve, të cilët urojnë njëri – tjetrin për një vit më mbarë, kërcejnë, hanë, pinë, shikojnë ndonjë film të preferuar apo spektakël televiziv ose ndezin fishekzjarrë.