Në përpjekje për të theksuar rëndësinë e bashkëjetesës paqësore dhe respektit ndaj diversitetit kulturor, më 16 nëntor, komuniteti ndërkombëtar shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës’, një iniciativë e Kombeve të Bashkuara për të nxitur mirëkuptim dhe respekt mes kulturave të ndryshme.
Duke ditur që vetëm toleranca ndaj njeri-tjetrit mund të sigurojë mbijetesën e komuniteteve të ndryshme, Organizata e Kombeve të Bashkuara në vitin 1996, vendosi që data e sotme 16 nëntor, të shënojë “Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës”. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres në një deklaratë dhënë për këtë ditë, theksoi se “toleranca nuk është vetëm një vlerë e mirë, por një kusht për të ardhmen tonë”. Dita e sotme nxit të gjithë akterët ndërkombëtarë dhe individët, që të angazhohen në ndërtimin e një mjedisi të hapur dhe të respektueshëm për të gjitha kulturat.
Në një periudhë kur shpërthimi i konflikteve dhe diskriminimit vazhdon të jetë një sfidë globale, pikërisht në “Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës”, bëhet thirrje për veprime të përbashkëta dhe bashkëpunim ndërkombëtar për të promovuar një kulturë të përbashkët të mirëkuptimit dhe tolerancës.