Shoqata Profesionale e Informaticientëve të Kosovës (SHPIK), në mesin e shumë trajnimeve që po organizojnë, ka njoftuar edhe për TechLead(H)er, program që është një mundësi e shkëlqyer për gratë dhe vajzat e përfshira në sektorin e Teknologjisë së Informacionit. Për të kuptuar më shumë rreth këtij trajnimi, Radio KFOR-i ka zhvilluar intervistë me Menaxheren e Projekteve në SHPIK, znj. Diellza Shllaku nga e cila kuptuam më shumë për trajnimin në fjale: “TechLead(H)er është një program i mentorimit, inaugurimi i të cilit ka ndodhur në “Ditën Ndërkombëtare të Gruas”, pra më 8 mars. TECHLEAD(H)ER është një kampanjë të cilën e kemi filluar, për ti dhënë mundësi vajzave dhe grave që të jenë të përfshira në sektorin e TIK-ut, me i zhvillu aftësitë e tyre menaxhuese dhe ku kanë mundësi që të mësohen nga mentorë të spikatur ndërkombëtarë dhe vendor. Programi ofrohet falas dhe numri i pjesëmarrëseve është i kufizuar.”
Në kuadër të TechLead(H)er, do të përzgjidhen 100 vajza dhe gra, të cilat do të jenë pjesë e trajnimit për rreth 3 muaj. Varësisht nga qëllimet dhe objektivat e tyre, pjesëmarrëset do të kenë mundësi të marrin këshilla për përkrahje akademike, këshilla për punë dhe karrierë, këshilla rreth temave specifike që vetë pjesëmarrëset i zgjedhin.
TECHLEAD(H)ER është program nga SHPIK dhe financohet nga Austrian Development Agency dhe Austrian Development Corporation.