Mund të themi që na pret një javë e mbushur me aktivitete kulturore të lëmive të ndryshme, si muzikë, promovime librash, shfaqje filmash dhe teatër, që secili të gjejë veten e tij. Radio KFOR-i ju njeh me disa prej ngjarjeve më interesante, që do të mund ti shijoni përgjatë ditëve në vazhdim.
Në kuadër të festivalit FemArt, do të keni mundësinë të shijoni performancë nga kantautorja dhe instrumentistja multidisiplinare, Christine Salem. Artistja në fjalë, do të performojë këtë të mërkurë (15.06.22), nga ora 21:00, në Teatrin ODA, ndërsa të interesuarit duhet të paguajnë biletë në çmim prej 5 euro.
Për fansat e librit dhe të muzikës, nesër (15.06.22) me fillim nga ora 19:30, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, do të bëhet promovimi i librit “Imagjinariumi” – Vepra për Piano nga autori Dr. Liburn Jupolli. Në promovim, do të keni mundësinë të dëgjoni vepra nga “Imagjinariumi” të interpretuara nga nxënësit e “Misbah & Friends”, të dëgjoni disa fjalë rreth librit nga studiuesit e muzikës si dhe të shfletoni veprën për piano.
Ju që dëshironi të mësoni më shumë rreth dizajnit grafik, sot (14.06.2022) nga ora 19:00 ju pret i hapur kampusi i ‘Creative Hub’, në Prishtinë, në një event që synon njoftojë me dizajnin grafik të gjithë ata që kanë dëshirë apo synojnë një karrierë dizajni grafik. Eventi do të udhëhiqet nga dizajneri grafik dhe ligjërues në akademi, Kujtim Aliu.
Fansat e muzikës do të jenë të zënë këtë javë, ku një aktivitet tjetër ju pret këtë të premte (17.06.22), në hapësirat e ‘7Arte’ në Mitrovicë. Solisti i grupit ‘Jericho’, Petrit Çarkaxhiu do të jetë i ftuar për të performuar së bashku me Tanju Süleyman.