Të rinjtë e komunës së Mitrovicës, janë bërë bashkë në zbatim të iniciativës ‘Bashkohuni për Ndryshim’, e cila është e udhëhequr nga të rinjtë e komuniteteve të ndryshme në bashkëpunim edhe me komunën e Mitrovicës. Për të kuptuar më shumë për këtë iniciativë, Radio KFOR-i ka intervistuar të rinjtë të cilët janë të përfshirë në projektin në fjalë. Njëra ndër vajzat është Djellza Zejnullahu, e cila na tregoi se si ka ardhur deri tek iniciativa: “Fillimisht dua të them që iniciativa ‘Bashkohuni për Ndryshim’ e udhëhequr nga të rinjtë e Mitrovicës, mbështetet nga Agjencioni i Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar- USAID përmes aktivitetit ‘Up to Youth’. Është kënaqësi me qenë pjesë e projektit “Up to Youth” i cili është një projekt 5 vjeçar i përkushtuar që të përmirësojë kapacitetet e rinisë dhe të krijojë mundësi për aspiratat e rinisë. Iniciativa jonë ka ardhur si pasojë e hulumtimit “Hartimi i burimeve në komunitet” që ne të rinjtë e Mitrovicës jemi pjesë e tij, të cilin e kemi zhvilluar vitin e kaluar dhe që është bërë kryesisht me anë të disa pyetësorëve. Me këtë hulumtim kemi pasur për qëllim që të identifikojmë sfidat apo çështjet me të cilat përballen të rinjtë e komunës sonë. Në këtë hulumtim doli se të rinjtë e Mitrovicës, shumicën e kohës e kalojnë në rrugë apo në kafene dhe nuk kanë një vendtakim alternativ se ku mund ta kalojnë kohën në mënyrë rekreative apo të dobishme.”
Pjesë e kësaj iniciative është edhe Sanela Ljackovic, e cila për Radio KFOR-in tregoi qëllimin e ‘Bashkohuni për Ndryshim’: “Me këtë iniciativë, kemi pasur për qëllim furnizimin e Bibliotekës së Mitrovicës, të cilën deri më tani e kemi furnizuar me rreth 300 libra. Qëllimi është që të rinjtë e Mitrovicës, veç kafeneve të kenë një vend ku mund të takohen, të lexojnë dhe të pasurojnë njohuritë. Përveç kësaj, iniciativa po planifikon edhe aktivitete të tjera që ndikojnë në zhvillimin pozitiv rinor.”
Znj. Sanela, kërkoi nga të gjithë të rinjtë e Kosovës që të përfshihen sa më shumë në aktivitete në të mirë të komunitetit: “Dëshiroj që të rinjtë e Kosovës të aktivizohen sa më shumë, që energjinë e tyre pozitive ta shfrytëzojnë në mënyrë adekuate. Këshilla ime është që të rinjtë të ndjekin sa më shumë aktivitete, të japin kontributin për komunën e tyre dhe kohën e tyre të lirë, të dinë ta shfrytëzojnë siç duhet, jo duke e shpenzuar kohën vetëm në kafene apo në telefona e rrjete sociale, por të punojnë në të mirë të komunitetit. Të rinjtë i japi forcë, bukuri, kontribut dhe gjallëri shoqërisë tonë.”
Ndërkohë, mesazhi i znj. Djellza, për të rinjtë është thirrje për më shumë vullnet e motiv: “Mesazhi im për të gjithë të rinjtë është që të jenë shumë aktivë nëpër trajnime të ndryshme, të kenë vullnet dhe motiv, që të kontribuojnë në komunitetin e tyre. Ashtu sikurse thënia “Çfarë ne bëjmë për komunitet, ashtu edhe komuniteti bënë për ne”, prandaj veç kësaj mendoj që duhet të jenë shumë pozitiv dhe kohën e tyre ta shfrytëzojnë në dobi qoftë për të ardhmen, qoftë për zhvillim profesional apo në karrierë.”
“Up to Youth” është aktivitet pesë vjeçar i përkushtuar që të përmirësojë kapacitetet e rinisë dhe të krijojë mundësi për aspiratat e rinisë, në mënyrë që ata të kontribuojnë dhe të përfitojnë nga komunitete më të qëndrueshme, më demokratike dhe më të përparuar.