Bota e teknologjisë edhe këtë javë sjell sërish zhvillime të reja. Apple po u jep prindërve më shumë kontroll mbi mënyrën se si fëmijët përdorin pajisjet iPhone, iPad dhe Mac. Përmes funksionit “Ask to Browse”, prindërit mund të miratojnë faqet që fëmijët dëshirojnë të vizitojnë, ndërsa “Ask to Buy” mundëson kontrollin e shkarkimeve dhe blerjeve në internet.
Ndërkohë, Facebook po përballet me një tjetër çështje gjyqësore. Një gjykatë në New Mexico, ka vendosur se kompania Facebook është përgjegjëse për mashtrimin e përdoruesve lidhur me mënyrën se si mbroheshin të dhënat e tyre personale. Rasti lidhet me të dhënat e rreth 87 milionë profileve, të mbledhura përmes një aplikacioni kuizi dhe të transferuara më pas te një kompani konsulentësh. Por, pavarësisht përballjes me këtë proces, Meta po vazhdon të investojë në teknologji të reja. Kompania Meta së fundmi ka prezantuar “Muse Charm”, një pajisje të vogël me inteligjencë artificiale që mund të mbahet si varëse në qafë ose si byzylyk në kyçin e dorës. Pajisja një fjalë përfshin mikrofona, altoparlant, sensor të gjurmës së gishtërinjve dhe një ekran të vogël. Përmes saj, përdoruesit mund t’i bëjnë pyetje ose t’i japin komanda asistentit AI, pa pasur nevojë të përdorin telefonin.
Ndërsa, nga bota e video lojërave vjen një histori e veçantë nga Cath Bowie, një 78-vjeçare nga Skocia, që ka hyrë në Librin Guinness të Rekordeve si lojtarja më e moshuar e Fortnite që transmeton lojërat e saj drejtpërdrejt në Twitch. Bowie, nisi të luajë Fortnite rreth nëntë vite më parë, pasi pa nipin e saj duke luajtur. Që atëherë, Fortnite është bërë pjesë e përditshmërisë e saj dhe ajo vazhdon të transmetojë lojërat online.







