Përmbledhjen javore në teknologji e fillojmë me një lehtësim që vjen nga Apple. Kompania ka njoftuar se planifikon ta bëjë më të lehtë për konsumatorët e tyre, kalimin nga iOS në Android, pra të lehtësojnë bartjen e të dhënave, materialeve, etj. Kjo vjen si përgjigje të hyrjes në fuqi të Aktit të Tregjeve Digjitale (DMA), në Evropë dhe siç njoftojnë zyrtarë nga Apple, këtë zgjidhje do ta mundësojë deri në vjeshtën e vitit 2025.
Të reja këtë javë kemi edhe nga Google Lens, që ka prezantuar funksionin e ri për ruajtjen e fotografive. Së shpejti do të mund t’i ruani imazhet që i analizoni me aplikacionin Lens dhe t’i rishikoni ato lehtësisht sa herë që dëshironi. Më parë informacionet rreth një imazhi kanë humbur menjëherë pasi është kryer kërkimi rreth tyre, por tani Google Lens do t’i ruajë automatikisht imazhet që kërkoni, e madje mund t’i gjeni në çdo kohë, duke vizituar myactivity.google.com.
Javën që po e lëmë pas, Instagram-i ka mposhtur TikTok-un si aplikacioni më i shkarkuar në botë pasi veçoria e videove Reels, e ndihmoi atë të rikuperonte terrenin e humbur ndaj rivalit të tij. Bëhet e ditur se Instagram, është shkarkuar 767 milionë herë në mbarë botën, gjatë vitit të kaluar 2023, një rritje prej 20 për qind, krahasuar me TikTok-un që është shkarkuar për 733 milionë herë. Kujtojmë që, qysh prej kohës së masave pandemike, TikTok-u ka mbajtur kurorën si aplikacioni më i shkarkuar.