Inteligjenca artificiale po vazhdon të evoluojë dhe të ndikojë në mënyra të reja dhe të ndryshme. Ndikimi i saj do të vazhdojë të rritet dhe është e rëndësishme që shoqëria jonë të trajtojë sfidat dhe mundësitë që ajo ofron në mënyrë të balancuar dhe të përgjegjshme. Edhe këtë javë, Radio KFOR-i ju njeh me disa nga më të rejat e fushës së teknologjisë, të kësaj jave që po e lëmë pas:
– Studiuesit kanë zbuluar një teknologji të re të inteligjencës artificiale që mund të identifikojë shenjat e hershme të mbi 1,000 sëmundjeve, shumë kohë para se simptomat të shfaqen. Algoritmi i quajtur MILTON analizon të dhënat e mbledhura nga testet klinike dhe parashikon me besueshmëri diagnoza të mundshme. AstraZeneca, që e zhvilloi këtë teknologji, planifikon të përdorë të dhënat për të zhvilluar trajtime më të efektshme dhe për të ndihmuar në krijimin e testeve diagnostikuese të reja.
– Kompania Sony ka njoftuar lansimin e konsolës së saj më të fuqishme, PlayStation 5 Pro, që do të jetë në dispozicion nga 7 nëntori. PS5 Pro ofron grafikë më të avancuara dhe performancë më të lartë, por me një çmim të rritur prej rreth 830 euro. Mark Cerny, një nga arkitektët kryesorë të PS5, ka theksuar se ky model do të adresojë disa probleme që përdoruesit kanë pasur me versionet e mëparshme.
– iPhone 16, prezantuar nga Apple, është celulari i parë që integron inteligjencën artificiale brenda tij. Modelet Pro janë më të mëdhenj dhe ofrojnë ekran më të madh dhe performancë të përmirësuar. Çmimet fillojnë nga 799 dollarë dhe arrijnë deri në 1.599 dollarë për variantin më të shtrenjtë.
– Shqiptarja dhe shefja e teknologjisë në OpenAI, Mira Murati është përfshirë në listën “TIME 100 AI” të personave më me ndikim në teknologji. Murati ka qenë një nga liderët në zhvillimin e modeleve ChatGPT dhe DALL-E si dhe është nderuar për kontributin e saj në inteligjencën artificiale dhe për versionin e ri të robotit GPT-40.
– Microsoft ka paralajmëruar përdoruesit e Windows 11 version 22H2 që duhet të përditësojnë në një version më të ri brenda muajit të ardhshëm për të vazhduar të marrin mbështetje dhe përmirësime të sigurisë. Pa këtë përditësim, përdoruesit do të humbasin mbrojtjen dhe përditësimet e ardhshme dhe duhet ta përditësojnë atë deri më 8 tetor.
– Google ka rikthyer veçorinë e ruajtjes së faqeve të internetit përmes bashkëpunimit me Arkivin e Internetit. Tani, përdoruesit mund të shfletojnë faqet e arkivuara duke klikuar në tre pikat pranë çdo rezultati kërkimi dhe të përdorin Wayback Machine për të parë versionet e mëparshme të faqeve.
– Huawei ka lansuar telefonin e parë në botë me dy mekanizma palosjeje dhe tre ekrane. Çmimet në Kinë fillojnë nga 19.999 juan (rreth 2.809 dollarë) për versionin me 256 GB, dhe shkojnë deri në 23.999 juan (rreth 3.370 dollarë) për versionin 1 TB.
– Eklipsi i dytë hënor i vitit 2024 do të ndodhë më 18 shtator. Ky eklips i pjesshëm do të jetë i dukshëm nga shumë rajone përfshirë Amerikën, Evropën dhe Azi-Paqësorin.
– YouTube do të ndalojë rekomandimin e videove për adoleshentët që idealizojnë nivele të caktuara fitnesi dhe cilësive fizike. Ky vendim është marrë për të mbrojtur mirëqenien e përdoruesve të rinj nga ndikimet e dëmshme të përmbajtjeve të tilla.







