Përmbledhjen e lajmeve teknologjike këtë javë e fillojmë me kompaninë Motorola, e cila ka konfirmuar se më 5 shtator, do të prezantojë modelin e ri ‘Moto G54’, telefon ky i cili ka një panel LCD 6.5 inç, ofron një rezolucion FHD+ prej 1080 x 2400 piksel dhe një shpejtësi rifreskimi 120 Hz.
Kompania Apple, po ashtu ka qenë pjesë e lajmeve në javën që po e lëmë pas. Kompania do të na surprizojë me një unazë inteligjente, për çka tashmë ka paraqitur një kërkesë për patentë, në Zyrën e Patentave dhe Tregtisë së Shteteve të Bashkuara (USPTO). Kjo patentë përshkruan një unazë që mund të “marr njoftime nga një smartphone (telefon i mençur)” dhe është krijuar për të dërguar të dhëna hyrëse në pajisje të tjera, si në orët inteligjente, gjurmuesit e shëndetit, kufjet dhe pajisje të tjera të ngjashme.
Inteligjenca Artificiale (IA), po ashtu ka qenë krye temë e mediave teknologjike këtë javë që po e lëmë pas. Është kompania Meta, e cila na ka njoftuar me një model të ri të AI, i krijuar për të ndihmuar në shkrimin apo krijimin e kodeve kompjuterike. Modeli ‘Code Llama’, i cili do të jetë i qasshëm falas, mund të shkruajë kode bazuar në kërkesat e përdoruesve dhe gjithashtu mund të përdoret për plotësimin dhe korrigjimin e kodit, njoftuan zyrtarët nga kompania Meta.