Festivali i vjeljes së rrushit “Hardh Fest”, i cili ka filluar me datën 1 shtator, do të përmbyllet sonte (3 shtator), në Rahovec. Përgjatë këtyre dy ditëve të kaluara, por edhe sot, ky festival po vazhdon të mirëpres vizitorë të shumtë, të cilët do të kenë mundësi të kënaqen me shumë aktivitete, befasi dhe mbi të gjitha, verë, rrush e mikpritje.
“Hardh Fest” po e vazhdon traditën artistike me artistë të shumtë të ftuar nga vendi e bota dhe sot në ditën e tretë të festivalit, ju pret shumë muzikë e argëtim dhe ‘after party’ në Hardh Camp, ku kampi është i vendosur në mes të vreshtave, në një pejzash mahnitës.
Festa e vjeljes së rrushit, është një festival autentik që ka për qëllim promovimin e vjeljes së rrushit, kulturën e vreshtarisë dhe në përgjithësi bujqësinë lokale të Rahovecit, përmes artit dhe trashëgimisë kulturore dhe ka përkrahje nga Komuna e Rahovecit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, partneri i festivalit Stone Castle vineyards and winery dhe nga sponsori gjeneral BPB.