Përmbledhjen javore në teknologji e fillojmë me aplikacionet për mesazhe më të përdorura në botë. Deri më tani, një prej aplikacioneve më të përdorura është WhatsApp, me dy miliardë përdorues aktivë mujorë, pasuar nga WeChat, me një bazë përdoruesish prej mbi 1.3 miliard.
WeChat përndryshe ka tërhequr vëmendje dhe përdorim të konsiderueshëm, ndërsa në vendin e tretë është Messengeri i Facebook-ut, që ka mbledhur rreth 930 milionë përdorues në mbarë botën. Të reja javore kemi edhe nga Elon Musk, që ka njoftuar për themelimin e një kompanie të re të inteligjencës artificiale: “Njoftoj për themelimin e xAI për të kuptuar realitetin”, shkroi Musk në Twitter dhe sipas tij, xAI do të fokusohet në zhvillimin e një platforme shumë kureshtare që kërkon të kuptojë natyrën e vërtetë të universit.
Nga lajmet vendore teknologjike, kemi veçuar fushatën vendore të emërtuar “Ti mund të jesh caku i radhës”, e iniciuar nga Policia e Kosovës, e cila bënë thirrje tek të gjithë që të jemi të kujdesshëm ndaj sulmeve kibernetike. Policia e Kosovës gjithashtu ka njoftuar se është shumë e angazhuar edhe në mbrojtjen e fëmijëve në internet, duke vënë në pah se kohëve të fundit në vendin tonë është shfaqur një dukuri negative, e cila ka të bëj me materialet me përmbajtje të abuzimit të fëmijëve në internet, me theks te veçantë në rrjete sociale. Policia u ka bërë thirrje prindërve, që të kujdesen për fëmijët e tyre se çfarë materialesh posedojnë në telefonat dhe pajisjet e tjera kompjuterike. Posaçërisht të fokusohen në aplikacionet Snapchat dhe TikTok, të cilat janë më shumë të përdorura nga fëmijët dhe keqpërdorimi dhe mashtrimet e fëmijëve nga këto dy aplikacione është më evidente, ka thënë Policia e Kosovës, duke na udhëzuar që të jemi më vigjilentë përderisa jemi duke përdorur internetin.