Përmbledhjen javore në teknologji e fillojmë më kompaninë Apple, ku iPhone po shitet në treg me çmime të ndryshme, varësisht vendit. Turqia është bërë tashmë vendi më i shtrenjtë për të blerë një telefon të tillë, pasi ju duhet të harxhoni dyfishin e çmimit. Si rezultat, iPhone 14 Pro Max me 1 TB hapësirë ruajtëse, në Turqi kushton 3.273 dollarë, që i bie dy herë më shumë se në SHBA, atje ku për një telefon të tillë, duhet të paguani 1.599 dollarë.
Pjesë e përmbledhjes javore teknologjikë është edhe Netflix, i cili vetëm pak javë më parë njoftoi se do të dënonte përdoruesit që ndajnë fjalëkalimet me të tjerët. Pas këtij vendimi, sipas të dhënave të fundit, thuhet se Netflix vërejti një rritje të ndjeshme të regjistrimeve të llogarive të reja, pasi sistemi i ri hyri në fuqi në SHBA dhe në disa vende të tjera, në fund të muajit maj. Përgjatë vetëm katër ditëve, kompania kishte mesatarisht 73 mijë regjistrues apo përdorues të ri, një statistikë 102 për qind më e lartë nëse krahasohet me mesataren e 60 ditëve të kaluara.
WhatsApp gjithashtu është bërë pjesë e lajmeve teknologjike. Me veçorinë e re, tashme fotografitë që dërgojmë përmes aplikacionit në fjalë, do të jenë të një cilësie më të lartë. Kjo veçori e re, është vërejtur në versionet e fundit të WhatsApp për iOS dhe Android. E deri më tani, cilësia e fotove që dërgohen përmes WhatsApp reduktohej me 70%, mirëpo me opsionin e fundit ky problem do të mbes në të shkuarën.