Me kompaninë Apple, i kemi filluar më të rejat në fushën e teknologjisë. Edhe pse është shumë herët, kemi detajet e para për linjën iPhone 16 Pro, që pritet të lansohet në treg, në vitin 2024. Analisti Ming-Chi Kuo ka thënë se linja e re e telefonave të Apple, do të ketë ekrane më të mëdha për modelet Pro. Megjithatë, nuk ka detaje se sa më të mëdhenj do të jenë celularët iPhone 16 Pro dhe Pro Max, në krahasim me paraardhësit e tyre, mirëpo supozohet se ekranet e modeleve të reja do të jenë ndërmjet 6.3 dhe 6.9 inç.
Në përmbledhjen javore, këtë herë e kemi edhe platformën YouTube. Shërbimi ka njoftuar se po largon ‘Stories’, një veçori për postime të përkohshme, që së shpejti do të largohet nga dispozicioni për përdoruesit. Siç bëhet e ditur, YouTube do të fillojë ta heqë këtë funksion nga 26 qershori dhe postimet ekzistuese do të zhduken pas shtatë ditësh. Në javën që po e lëmë pas, të reja patëm edhe nga firma e çipave të trurit të Elon Musk, që ka bërë të ditur se ka marrë miratimin nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për të kryer testet e saj të para tek njerëzit.
Kompania e implanteve “Neuralink” dëshiron të ndihmojë në rikthimin e shikimit dhe lëvizshmërisë së njerëzve, duke lidhur trurin me kompjuterët. Kompania në fjalë, shpreson të përdorë mikro-çipat e tyre, për të trajtuar probleme shëndetësore si paralizën dhe verbërinë si dhe të ndihmojë personat me aftësi të kufizuar duke përdorur teknologjinë e mikro-çipave.