Çdo vit më 4 qershor, shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve të Pafajshëm Viktima të Agresionit’, ditë kjo e cila e pranon dhimbjen që e vuajnë fëmijët në mbarë botën. Shumë nga këta fëmijë janë viktima të abuzimit fizik, mendor dhe emocional. Është gjithashtu një ditë që OKB-ja pohon detyrën e saj për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve.
Gjashtë shkeljet më të zakonshme të të drejtave të njeriut, të cilat bëhen gjatë luftërave dhe konflikteve, janë: rekrutimi dhe përdorimi i fëmijëve në luftë, vrasjet, dhuna seksuale, rrëmbimet, sulmet ndaj shkollave apo spitaleve si dhe pengimi i ndihmave humanitare drejt tyre.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 19 gusht, të vitit 1982, e vendosi 4 Qershorin, si “Ditë Ndërkombëtare të Fëmijëve Viktima të Agresionit”.
Në mbarë botën, shumë fëmijë jetojnë në zona ku lufta dhe konflikti, janë pjesë e jetës së tyre të përditshme. Sipas statistikave të fundit, mbi 536 milionë fëmijë jetojnë në vende të prekura nga konfliktet apo fatkeqësitë, ndërsa rreth 50 milionë fëmijë, zhvendosen nga shtëpitë e tyre. Kur këta fëmijë zhvendosen, kjo rrit ndjeshmërinë e tyre ndaj dhunës dhe shfrytëzimit, kjo kryesisht për faktin se këta fëmijë mbeten jetimë ose ndahen nga familjet e tyre.
Mirëpo, është e rëndësishme që ne, të vazhdojmë të punojmë së bashku për të parandaluar dhe luftuar dhunën ndaj fëmijëve si dhe për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt, për ti mbrojtur ata.