Përmbledhjen teknologjike këtë javë e fillojmë me të rejat nga Apple, kompani kjo e cila ka njoftuar për një paketë të tërë të veçorive të reja për iPhone, iPad dhe Mac, duke përfshirë mundësinë që iPhone ose iPad-i juaj të përdorë aplikacionin për të lexuar çdo tekst që shkruani. Nga tani e tutje, vetëm nëse e shkruani një urim, udhëzim, apo çdo lloj mesazhi, ai do të lexohet me një zë që tingëllon fiks si zëri juaj. Kjo veçori e iPhone, do mbajë emrin “Personal Voice” ose “Zëri personal”. Kjo do të thotë se në vend të zërave të parapërgatitur si Siri, do të përdoret një version që sinkronizohet me zërin tuaj për të përcjellë çdo tekst që doni.
Të reja këtë javë kishim edhe nga WhatsApp, aty ku nga tani e tutje mund ti kyçni bisedat e juaja e për t’ju qasur të njëjtave, ju duhet fjalëkalimi. Dosja e quajtur Chat Lock, do t’i mbajë bisedat me një shtresë sigurie më të lartë dhe e njëjta veçori tashmë ka filluar të vihet në funksion gjithandej botës. Inteligjenca artificiale edhe këtë javë ka qenë krye temë e botës. Krijuesi i ChatGPT, kompania OpenAI, nga java që po e lëmë pas, ka lansuar aplikacion e tyre falas për përdoruesit e iOS.
Kujtojmë që Chatbot i AI u prezantua në nëntor të vitit të kaluar, por filloi të përdorej në masë të madhe gjithandej botës. Disa vlerësime sugjerojnë se aplikacioni tërhoqi 100 milionë përdorues deri në janar të këtij viti, megjithëse OpenAI nuk i ka konfirmuar kurrë këto shifra.