Zbulimet hapësinore dhe ujore, janë ato që e kane mbizotëruar javën teknologjike këtë herë. Javën që po e lëmë pas, sateliti Transitues i Ekzoplanetit të NASA -s (TESS), ka bënë një zbulim emocionues. Astronomët kanë zbuluar një planet të rrallë, që është dy herë më i madh se Toka dhe që mund të mbulohet tërësisht nga oqeani. Planeti, i njohur si TOI-1231 b, rrotullohet rreth një ylli të afërt dhe është rreth 90 vite dritë larg nga Toka. Bazuar në densitetin që ka, shkencëtarët besojnë se ka të ngjarë të jetë një botë ujore e kjo do ta bënte atë një planet unik dhe të rrallë, pasi planetët më të njohur janë gjigantë shkëmborë. Kur jemi tek zbulimet hapësinore, për një të tillë është duke u bërë gati tash e një kohë të gjatë NASA. Agjencia amerikane ka folur për misionin e madh në planetin Mars, atje ku do të dërgohen 4 vullnetarë, prandaj në mënyrë që gjithçka të shkojë sipas planit, siç njofton NASA, duke filluar nga ky qershor, 4 vullnetarë do të kalojnë 1 vit të mbyllur brenda, duke pretenduar se jetojnë në Mars. Kur jemi tek zbulimet, kjo javë teknologjike na ka rezervuar edhe misione ujore, që janë bërë me ndihmën e teknologjisë. Shkencëtarët kanë nisur misionin e tyre për të identifikuar 100 mijë specie në oqeane. Nëndetëset, robotët edhe inteligjenca artificiale, janë disa prej mjeteve shkencore që do të përdoren për të identifikuar specie të reja në oqean. Ky mision ka filluar së fundmi dhe ka për qëllimin që të identifikojë 100 mijë specie detare, në dhjetë vitet e ardhshme.
Inteligjenca artificiale ka kontribuar këtë javë edhe në mjekësi. Një mjet i inteligjencës artificiale mund të identifikojë me saktësi kancerin në zhvillim, që mjekët dhe shkencëtarët thanë se mund të përshpejtojë diagnostikimin e sëmundjes. Sipas një studimi, algoritmi funksionon në mënyrë më efektive sesa metodat aktuale. Mjeti i inteligjencës artificiale, i projektuar nga ekspertë në fondacionin Royal Marsden NHS, Instituti i Kërkimit të Kancerit, Londër dhe Kolegji Imperial në Londër, mund të përshpejtojë trajtimin e pacientëve.