Përmbledhjen javore në teknologji, e fillojmë me telefonin e kompanisë Realme, e cila ka prezantuar një telefon revolucionar. I quajtur ‘GT Neo5’, telefoni ka aftësi të avancuara të mbushjes së shpejtë të baterisë. Ky telefon i mençur është i pari në botë, që zbaton mbështetje për karikim të shpejtë prej 240W, që është aktualisht fuqia më e lartë e mbushjes me energji në industri. Bateria e këtij telefoni mbushet 100 për qind në vetëm 10 minuta. Javën që po e lëmë pas, Samsung, u zotua se do të zëvendësojë të gjithë plastikën e përdorur në telefonat e saj inteligjentë Galaxy, me materiale të ricikluara, deri në vitin 2050.
Të reja kemi edhe nga TikTok-u. Krijuesit e përmbajtjeve në TikTok, së shpejti mund të jenë në gjendje t’ju vendosin tarifa fansave prej 1 dollarë, ose më shumë, për ata që dëshirojnë të shohin videot e tyre. Pagesa është një nga shumë veçoritë që TikTok-u, mund të prezantojë në platformën e tij në një përpjekje për të tërhequr përdorues të rinj. Aplikacioni më i shkarkuar në botë, me këto risi dëshiron të rrisë bazën e saj të përdoruesve, duke tërhequr përdorues më të vjetër. Sipas një studimi të Pew Research, vetëm 21 për qind e të rriturve amerikanë, aktualisht përdorin TikTok-un, krahasuar me 67 për qind të adoleshentëve amerikanë.
Përmbledhjen javore në teknologji e përmbyllim me lajmin për Elon Musk, i cili duket që e ka shumë seriozisht largimin nga pozita drejtuese e Twitter-it. Elon Musk ka njoftuar se e ka në plan të gjejë dikë tjetër për të marrë detyrën e tij si CEO i Twitter-it, deri në fund të vitit 2023.