Përmbledhjen javore, e fillojmë me të rejat nga kompania Apple. Gjiganti teknologjik duket se është duke punuar në një version tjetër të iPad-it të saj, i cili pritet të del në treg në vitin 2024. Analisti Ming-Chi Kuo ka thënë, javën që po e lëmë pas, se “një dizajn krejtësisht i ri i iPad-it të palosshëm” do të arrijë gjatë vitit të ardhshëm. Ai gjithashtu shtoi se iPadi i ri, do të ketë dizajnin e jashtëm të bërë nga fibrat e karbonit. Po javën që po e lëmë pas, është shtuar edhe një aplikacion i ri. Ky aplikacion vjen nga Kevin Systrom dhe Mike Krieger, ish-themeluesit e Instagramit që u larguan nga ky rrjet social katër vite më parë. Të dy, javën që po e lëmë pas, njoftuan për lansimin e “Artifact”. Ndryshe nga Instagrami, aplikacioni në fjalë është më i fokusuar në artikuj sesa në fotografi.
Po javën që po e lëmë pas, portali multimedial Bigthink, ka shpalosur statistikat e vendeve që kanë përdorimin më të madh të internetit dhe në bazë të rezultateve edhe Kosova klasifikohet në hartën e përdoruesve më të mëdhenj të internetit: “Është një vend i vogël me një diasporë të madhe. Njerëzit hynë në internet për të mbajtur kontakte me familjen e tyre jashtë vendit. Përveç kësaj, Kosova gjithashtu ka popullsinë më të re të Evropës, me pothuajse gjysmën e moshës nën 25 vjeç. Kosova është plot me vendas digjitalë”, thuhet në raportin e përdorimit të internetit. Në mesin e vendeve që kanë përdorimin më të madh të internetit gjejmë përveç Kosovës edhe Danimarkën, Norvegjinë, Suedinë, Finlandën, Islandën, Britaninë e Madhe, Irlandën, Luksemburgun dhe Zvicrën.