Java e parë e 2023-tës pati agjendë shumë të ngjeshur nga fusha teknologjike. Përmbledhjen javore e fillojmë me TikTok, aplikacion që është ndaluar për punonjësit e Qeverisë amerikane. Autoritetet amerikane njoftuan stafet e tyre se nuk lejohen të përdorin aplikacionin TikTok dhe aq më pak ta kenë të instaluar në pajisjet e institucioneve. Kushdo që punon në dhomën e ‘Senatit Amerikan’ duhet të heqë menjëherë aplikacionin në fjalë. Ndalimi i tij do të shtrihet edhe në institucione të tjera të Qeverisë amerikane.
Të reja javore kemi edhe nga Japonia. Laboratori shkencor ‘RIKEN’ në Japoni ka zbuluar një metodë që brenda sekondave tregon parashikimin e saktë të ndikimit të një cunami. Studiuesit janë duke punuar në këtë projekt qysh nga viti 2011, atëherë kur një cunami i fuqishëm mori jetën e 18.500 njerëzve. Me ‘RIKEN’ studiuesit po mundohen që të parandalojnë katastrofa te tilla, në të ardhmen. Për t’u arritur kjo, në brigje është vendosur rrjeti më i madh i sensorëve në botë, që përcjell lëvizjen e fundit të oqeanit. Rreth 150 stacione e përbëjnë këtë rrjet dhe punojnë së bashku për të siguruar paralajmërim të hershëm për cunami dhe e gjitha kjo përfundon brenda sekondave, ndryshe nga sistemet e mëparshme kur koha më e shkurtër e lajmërimit ishte rreth 30 minuta.
Kur jemi tek të rejat javore në teknologji, aplikacioni ‘Waze’ në javën e parë të janarit ka marrë një tjetër funksion shumë të dobishëm, që do të rrisë sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion. Ky aplikacion do të paralajmërojë drejtuesit e mjeteve për rrugët me histori aksidentesh.