Përmbledhjen javore në teknologji e fillojmë me rrjetin social, Twitter. Blerja përfundimtare e këtij rrjeti nga Elon Musk, bëri që një numër shumë i madh i përdoruesve, të largohen, e mediat teknologjike njoftojnë për miliona njerëz që kanë ndërmarrë një veprim të tillë braktisjeje. E nga kjo rrëmujë e Twitter-it, duket që ka përfituar rrjeti tjetër social Mastodon, i cili reklamon më së shumti mbrojtjen e privatësisë, pasi ka pasur një rritje të ndjeshme të përdoruesve gjatë javës që po e lëmë pas. Në pamje të përgjithshme, Mastodon ngjan me Twitter: Përdor thurjet (hashtag), i jep përparësi debateve dhe sigurisht memeve argëtuese.
Një lajm aspak i mirë na erdhi këtë javë nga fusha e kibernetikës. Kompania gjermane Continental, ishte shënjestër e një sulmi kibernetikë, qysh në muajin gusht të këtij viti, mirëpo vetëm gjatë kësaj jave që po e lëmë pas, tregoi se një sasi e madhe e të dhënave është vjedhur gjatë kësaj ndërhyrjeje në rrjetin kompjuterik dhe po flasim për një shifër shumë të madhe të të dhënave të vjedhura.
Lajmi më i mirë teknologjik këtë javë, na erdhi nga Insagrami. Rrjeti social në fjalë lansoi më në fund një opsion për përdoruesit të cilët duan të planifikojnë postime, publikimin e të cilave e përcaktojnë më herët. Tani, kur dëshironi që një postim ta planifikoni për publikim në një datë të caktuar, këtë mund ta bëni pa pasur nevojë të përdorni Meta Creator Studio, thjesht duhet të shkoni tek “Advanced Settings” pas krijimit të postimit. Aty mund të aktivizoni opsionin “Schedule this post” dhe të zgjidhni orën dhe datën.