Përmbledhjen javore të teknologjisë këtë javë, e fillojmë me kompaninë që po na i sjellë modelet e veçanta të markës Iphone. Është fjala për kompaninë Caviar, e cila njihet për versionet luksoze të telefonave të mençur dhe së fundmi ka prezantuar modelin e saj te Iphone 14, që e ka emëruar Rolex Daytone iPhone 14 Pro. Në pjesë e pasme, ky telefon ka hiç më pak se 4 orë, të markës Rolex. Korniza e telefonit është e punuar nga titani dhe gjithashtu është e dekoruar me flori. Modeli bazik do të kushtojë 133.670 dollarë dhe Caviar ka bërë të ditur se do të prodhojë nga katër njësi, nga çdo version iPhone 14 Pro dhe 14 Pro Max, e modeli më i shtrenjtë do të kushtojë 135.420 dollarë.
Edhe Instagrami ka qenë pjesë e lajmeve këtë javë. Përdoruesit në mbarë botën kanë postuar në platforma të tjera të mediave sociale, për të pyetur pse janë bllokuar nga profilet e tyre, pasi kanë marrë një mesazh që thoshte: “Ne e pezulluam llogarinë tuaj”. Në njoftimin zyrtar, Instagram njoftoi se “janë të vetëdijshëm për problemin me të cilin po përballen shumë përdorues, ndaj të cilëve ka kërkuar falje. Lajmi i mirë është së javën e kaluar rrjeti social tha se e ka zgjidhur problemin që erdhi nga një virus. Edhe rrjeti tjetër social Twitter, është po ashtu pjesë e përmbledhjes javore këtë javë. Siç raportojnë mediat teknologjike ndërkombëtare, Twitter mund të nisë së shpejti një metodë të re për të gjeneruar të ardhura në platformën sociale, duke i detyruar përdoruesit të paguajnë për “portofolin e tyre të verifikimit”. Edhe Agjencia Botërore Policore, pra Interpol, ishte pjesë e lajmeve teknologjike këtë javë, pasi zyrtarë nga kjo agjenci kanë bërë me dije se janë duke u përgatitur për rreziqet që mund të krijojnë ambientet e reja virtuale, duke i hapur rrugë kërkimeve për lloje të reja të krimeve kibernetike.