Përmbledhjen javore teknologjike e nisim me të rejat e WhatsApp, që është duke u bërë ambient më i sigurt për përdoruesit. Aplikacioni ka lansuar disa veçori të reja privatësie, përfshirë një opsion për bllokimin e statusit online. Funksioni i ri bën të mundur dërgimin e mesazheve, ndërsa përdoruesi duket se është offline. Aplikacioni sjell një nivel tjetër privatësie, mbi statusin “Last Seen”, ku përdoruesit mund ta aplikojnë sipas kontakteve specifike. Ju mund të zgjidhni se cilat kontakte mund të shohin statusin tuaj online dhe kush jo.
Të reja këtë javë kemi edhe nga kompania e rrjeteve sociale, Snapchat, që ka lansuar mjetet e tija të para të kontrollit prindëror, të cilat do t’i lejojnë prindërve të shohin, se me kë po flasin fëmijët e tyre adoleshentë, por jo edhe bisedat e tyre, në Snapchat. Funksioni i ri i quajtur ‘Family Center’, po lansohet në një kohë kur kompanitë e rrjeteve sociale janë kritikuar për mungesën e mbrojtjes së fëmijëve.
Edhe Inteligjenca artificiale është pjesë e përmbledhjes javore. Me gjithë zhvillimin e disa teknologjive të avancuara, inteligjenca artificiale, ka edhe rreziqet e saj. Ekspertë të shumtë po paralajmërojnë përdoruesit për rreziqet e mundshme që vijnë me inteligjencën artificiale dhe duket se BE-ja po i merr këto paralajmërime mjaft seriozisht. Kështu, politikanët që i shërbejnë Bashkimit Evropian, po planifikojnë që të prezantojnë infrastrukturën e parë gjithëpërfshirëse globale, për rregullimin e inteligjencës artificiale.