Javën që kemi lënë pas e kemi nisur me lajme për zbulime teknologjike për fushën e arsimit. Tani platforma ‘Erudera’, është lansuar zyrtarisht. Po flasim këtu për një platformë globale të kërkimit të programeve universitare dhe akademike. Duke përdorur inteligjencën artificiale dhe mësimin e makinerive, kjo platformë synon të ndihmojë studentët në mbarë botën të eksplorojnë opsionet e tyre të arsimit të lartë, si në nivel institucional ashtu edhe në nivel programor. Sipas Erudera, platforma e saj do t’i lejojë studentët të shfletojnë mbi 23.000 profile universitare dhe më shumë se 64.000 programe akademike individuale.
Këtë javë kuptuam gjithashtu se marka Apple, ka vendosë që të braktisë edhe produktin që revolucionarizoi të dëgjuarit e muzikës. Është fjala për ‘iPod Touch’, ku zyrtarë nga Apple njoftuan se eliminimi i ‘iPod Touch’, vjen si rezultat i produkteve të tjera në linjën e iPhone që ofrojnë funksionalitete edhe më të avancuara.
Të reja teknologjike javore patëm edhe nga marka Sony. Kompania ka shpalosur të dhënat të cilat tregojnë që janë shitur mbi 2 milionë njësi ‘PlayStation 5’, në tremujorin e fundit, duke e çuar totalin e shitjeve në 19.3 milionë.
Një kompani australiane, ka vendosë që përmes teknologjisë ta luftojë shpyllëzimin. Kompania AirSeed Technologies, ka futur në funksion dronët e saj, që të mbjellë mbi 40.000 fidanë, në ditë. Kompania në fjalë, ka deklaruar se synon të mbjellë një total prej 100 milionë pemësh, deri në fund të vitit 2024.