Pas shumë pritjesh, java që po e lëmë pas solli në Evropë tabletët e rinj të ‘Samsung Galaxy Tab S8’. Bashkë me shtrirjen në tregun evropian, u bënë të ditura edhe çmimet. ‘Galaxy Tab S8 Ultra’ mund të porositet me një çmim prej 1.699 euro, e derisa i ‘Galaxy Tab S8 Plus’ kushton 999 euro, modeli ‘Galaxy Tab S7’ ka çmim prej 970 eurosh.
Java teknologjike nuk ka qenë aspak e mirë për kompaninë Meta. Për here të parë në 18 vjet të ekzistencës, Facebook raportoi për rënie të numrit të përdoruesve. Zyrtarë të kompanisë Meta, njoftuan se numri i përdoruesve aktivë ditorë ka shënuar rënie. Aksionet e kompanisë kanë rënë me 20%, vetëm pak orë pas lajmit në fjalë, duke fshirë 200 miliardë dollarë nga vlera e kompanisë Meta.
Për dallim nga Facebook, java e shkuar teknologjike ka qenë fitimprurëse për kompaninë Google. Zyrtarë nga kompania Google, kanë njoftuar se kanë tejkaluar pritshmërinë e fitimeve. Zyrtarë nga Alphabet Inc dhe njësia e saj Google, njoftuan se shitjet e përgjithshme tremujore të kompanisë Alphabet, u rritën në 75.3 miliardë dollarë, mbi vlerësimin mesatar prej 72 miliardë dollarësh.
Një lajm këtë javë na erdhi edhe nga Apple. Në kufjet Airpods, kompania është duke punuar për mundësinë e cila do të bëjë të mundur identifikimin e personave përmes formës së kanalit të veshit, që i bie do të jetë si mundësi e njohjes se fytyrës nga telefoni juaj apo Face ID.