Përmbledhjen javore e fillojmë me rrjetin social Instagram, i cili ka prezantuar një sërë veçorish të reja për storie, e më e rëndësishmja prej të cilave është veçoria “Reveal”. Kjo veçori u lejon përdoruesve të krijojnë “Stories të fshehura”, që ndjekësit e tyre do të mund t’i zbulojnë vetëm nëse kërkojnë leje nga përdoruesi në mesazh privat.
Kur jemi tek rrjetet social, një i ri po i shtohet tregut. Nospace është rrjeti social i ri, që do të lansohet në qershor të këtij viti. Ata e quajnë veten “rrjeti social më social” sepse thonë se prioriteti i tyre është ndërveprimi mes përdoruesve, sesa publikimi i përmbajtjes virale. Aplikacioni do të inkurajojë përdoruesit të ndajnë mendimet e tyre për gjëra të përditshme dhe bazohet kryesisht në postime me tekst.
Pjesë e teknologjisë këtë javë ishte edhe Neuralink. Përpjekja e parë e kompanisë për të integruar një çip në trurin e njeriut, hasi në një pengesë të papritur ndërsa pajisja filloi të shkëputej nga truri i pacientit. Pacienti, bëri një ndërhyrje kirurgjikale në shkurt të 2024-ës, për të vendosur një çip Neuralink në trurin e tij, por funksionaliteti i pajisjes filloi të reduktohej brenda një muaji nga implantimi. Sipas raporteve, rënia e funksionalitetit nuk ka rrezikuar pacientin i cili vazhdon të përdorë implantin për të luajtur shah në një kompjuter duke përdorur mendjen.







