Përmbledhjen javore në teknologji, e fillojmë me kompaninë Google, që i është bërë konkurrent serioz kompanive Samsung dhe Apple.
Google ka publikuar telefonin e mençur Pixel 8 dhe një orë dore të re, me teknologjinë e inteligjencës artificiale, të integruar në to. Inteligjenca artificiale e integruar në Pixel 8, siç njofton Google, ndër të tjera do të mat automatikisht temperaturën e trupit të përdoruesit dhe kjo falë aprovimit që ka marrë nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve.
Kompania Meta, është gjithashtu pjesë e të rejave teknologjike këtë javë. Kompania amë e Facebook-ut dhe Instagram-it, po planifikon që të vë tarifa për përdoruesit e Bashkimit Evropian, për shërbimin pa reklama. Këto plane abonimi pa reklama do të prezantohen se shpejti për përdoruesit dhe tashmë janë diskutuar disa plane për çmimet, por plani prej 10 euro në muaj, është më i mundshmi.
Kur jemi tek tarifat edhe platforma Netflix, po planifikon të rrisë sërish koston e shërbimit të tij të transmetimit. Netflix, thuhet se do të bëjë të ditur rritjen e çmimit së shpejti, pa e caktuar një datë specifike. Kujtojmë që platforma Netflix, rriti çmimet në të gjitha vendet vitin e kaluar, me 15.49 dollarë në muaj, e për abonentët premium, në 19.99 dollarë në muaj.