Çdo vit, e enjtja e dytë e muajit mars shënon “Ditën Botërore të Veshkave”, një iniciativë kjo globale që synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e shëndetit të veshkave dhe parandalimin e sëmundjeve që lidhen me to.
Sëmundjet e veshkave prekin miliona njerëz në mbarë botën, shpesh pa shenja të dukshme deri në faza të avancuara të sëmundjes, prandaj mjekët nga e gjithë bota, apelojnë për diagnostikim të hershëm, trajtim të duhur dhe kontrolle të veshkave, pasi sëmundjet kronike të veshkave mund të çojnë në komplikime serioze, deri në nevojën për dializë apo edhe transplantim.
Ekspertët shëndetësorë theksojnë faktorë të ndryshëm që ndikojnë në përkeqësimin e veshkave, si: hipertensioni, diabeti, obeziteti dhe pirja e duhanit. Për këtë arsye, mjekët rekomandojnë një mënyrë jetese të shëndetshme, ushqyerje të ekuilibruar dhe kontrolle të rregullta mjekësore.
Në këtë “Ditë Botërore të Veshkave”, mesazhi kryesor mbetet i qartë, të kujdesemi për shëndetin e veshkave, duke bërë kontrolle të rregullta si dhe duke jetuar shëndetshëm!







