Të jetosh në paqe ka të bëjë me pranimin e dallimeve dhe aftësinë për të dëgjuar, njohur, respektuar dhe vlerësuar të tjerët si dhe për të jetuar të gjithë në mënyrë paqësore dhe të bashkuar.
Në vitin 2017, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së shpalli 16 majin “Ditë Ndërkombëtare të të Jetuarit së Bashku në Paqe”, si një mjet për të mobilizuar rregullisht përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të promovuar paqen, tolerancën, përfshirjen, mirëkuptimin dhe solidaritetin.
Në shënimin e kësaj dite, Radio K4 intervistoi dy të rinj, z. Milovan Stoiljkovic dhe z. Faton Cakolli, të cilët janë një shembull i mirë i kontributit paqësorë, të cilët punojnë së bashku prej disa vitesh: “Unë punoj prej vitesh me Milovanin dhe absolut nuk na pengon ndryshimi i kombësisë apo besimit. Mbi të gjitha, ne jemi njerëz të cilët e duam paqen dhe kontribuojmë për paqe”.
Të njëjtin mendim e kishte edhe z. Milovan Stoiljkovic, nga komuna e Gjilanit, i cili u shpreh: “Prej disa vitesh punoj në një ambient pune me kolegë të kombësive të ndryshme. Miqtë e mi më të mirë janë shqiptarët, si: Arbona, Natyra, Kushtrimi, Emanueli, Argjiri e shumë të tjerë, që më ndihmuan shumë me punën dhe njohjen e mjedisit. Është bukur kur të gjithë shoqërohemi dhe së bashku arrijmë qëllimet dhe bëjmë ndryshime pozitive në Kosovën tonë, që të gjithë të jetojnë më bukur dhe më mirë.”
Paqja është shumë me rëndësi për gjithë njerëzimin, por janë vetë njerëzit që duhet të ofrojnë paqen!