Radio K4: Çfarë është dhoma familjare?
MSU Komandanti: Dhomat familjare janë dhoma të krijuara për të dëgjuar viktimat e dhunës në familje, në një ambient të qetë dhe të sigurt. Në një kontekst të tillë, viktimat mund të ndihen të lirë, të hapen para policisë pa presion dhe pa gjykim shoqëror. Duke qenë se dhomat janë krijuar si skenë për të ndihmuar viktimat e abuzimit, ishte jetike për t’i bërë ato sa më të rehatshme dhe mikpritëse. Kjo është ajo që kemi bërë! Në të vërtetë, çdo dhomë familjare përbëhet nga gjithçka që mund t’i ndihmojë viktimat për t’ju lehtësuar dhimbjen e tyre, si p.sh., TV, tavolinë kafeje, divan, karrige e butë dhe veçanërisht një kënd i dedikuar tërësisht fëmijëve, përveç të gjitha gjërave të tjera themelore. Gjithashtu janë zgjedhur me saktësi ngjyrat: ato të ngrohta dhe moderne! Prandaj, edhe nëse këto dhoma janë brenda godinave të Policisë, ato duken gjithçka përveç një dhome marrje në pyetje, ku viktimat mund të ndajnë me policinë gjithçka që dinë, për të ndihmuar autoritetet të ndjekin penalisht abuzuesit.
Radio K4: Përse MSU i dhuroi këto dhoma?
MSU Komandanti: KFOR-i është këtu për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit e Kosovës, veçanërisht për ata më të rrezikuarit. Mbi këtë bazë, e konsiderojmë të rëndësishme që të ofrohet mbështetje si për Policinë e Kosovës për të luftuar sa më mirë dhunën në familje si dhe për viktimat e abuzimit. Kjo iniciativë është në kuadër të një projekti më të gjerë të filluar nga KFOR-i, për tu ballafaquar me fenomenin e dhunës në familje, veçanërisht gjatë pandemisë COVID-19, gjatë së cilës periudhë njerëzit u treguan më të brishtë dhe më të cenueshëm. Në fakt, kryerja e intervistave me viktimat e abuzimit brenda një hapësire mikpritëse, mund t’u mundësojë oficerëve të PK-së që të marrin më shumë detaje në lidhje me krimin dhe njëkohësisht t’i ndihmojë viktimat të fitojnë më shumë vetëbesim, por edhe besim te Policia. Qëllimi ynë është të nxisim një rreth të respektueshëm.
Radio K4: Ku mund ti gjejmë këto dhoma familjare nga MSU?
MSU Komandanti: Këto dhoma i gjeni në Skenderaj, Pejë, Suharekë, Prizren, Veri të Mitrovicës dhe Lipjan.
Radio K4: A ka diç tjetër që dëshironi të ndani me ne, në lidhje me punën e MSU-së dhe këtij projekti?
MSU Komandanti: Ndihma për njerëzit është thelbësore në axhendën tonë. Të gjitha aktivitetet tona sillen rreth këtij aspekti. Fatkeqësisht, veçanërisht që kur pandemia përfshiu të gjithë vendin, gratë dhe në përgjithësi njerëzit më të rrezikuar, kanë raportuar gjithnjë e më shumë krime të abuzimit në familje dhe dhunës në familje, duke ngritur një flamur të kuq shqetësues rreth kësaj çështjeje. Për këtë arsye, MSU ka ndërhyrë menjëherë, jo vetëm duke dhuruar dhoma familjare, por edhe duke siguruar “shtëpi të sigurta” me ushqime dhe veshmbathje, në mënyrë që viktimat të ndihen në qendër të vëmendjes dhe të dëgjuar, në të gjitha nivelet dhe në çdo moment. Për më tepër, do të doja të theksoja aktivitetet tona të ClMIC-ut, përmes të cilave ne ndihmojmë njerëzit në nevojë duke u dhënë atyre mallra të nevojës së parë.